25.09.2019 - Mbledhja e gjashtë e Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar, u zhvillua sot nën kryesinë e Shoqatës së Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA). Në këtë tryezë diskutimi, që mbledh së bashku shoqatat e ndryshme në sektorin financiar, u diskutuan zhvillimet e reja si dhe plani i aktiviteteve të ardhshme në kuadër të nxitjes së zhvillimit të Edukimit Financiar dhe në mbështetje të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Organizatës Junior Achievemnet of Albania.

Pjesëmarrësit aprovuan angazhimin e rrjetit në nismën “Le të flasim me gjuhën tuaj”, një konkurs me fokus nxënësit e 10 shkollave të mesme në vend, duke synuar informimin e tyre mbi instrumentat financiarë nëpërmjet sfidës së krijimit të materialeve informuese me gjuhën e të rinjve. 

Gjatë mbledhjes u dakordësuan aktivitetet që do të zhvillohen në kuadër të Javës Botërore të Investitorit gjatë periudhës 30 shtator – 6 tetor 2019, ku do synohet të përcillet mesazhi i duhur në lidhje me zhvillimet në tregun e kapitalit, fondeve të investimit dhe pensioneve private në vend dhe në rajon.

Drejtoresha e Shërbimit Kombëtar për Rininë, znj. Irsa Ruçi paraqiti gjithashtu në këtë takim marrëveshjen e bashkëpunimit midis SHKR-së dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e cila i hap rrugë një prej nismave më të mëdha të krijuara ndonjëherë në fushën e sipërmarrjes rinore dhe përthithjes së ideve inovatore prej rinisë, pjesës më aktive të shoqërisë.