24.05.2019 - Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri ishte pjesë e organizimit të konferencës së dytë kombëtare “Edukimi Financiar” të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare. Studentët prezantuan në këtë konferencë punime të ndryshme, për të nxitur diskutimin mbi zhvillimet e sotme më të rëndësishme në tregjet nën mbikëqyrjen e AMF-së. Në përfundim të konferencës, Autoriteti dhe shoqatat e tregjeve nën mbikëqyrje, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve Private dhe Fondeve të Investimit, vlerësuan punimet më të mira. 

Vlerësimi i punimeve u realizua nga Juria e profesionistëve anëtarë të së cilës ishin:

  • Z. Edvin Libohova – Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë
  • Z. Naim Hasa- Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve
  • Z. Blodin Çuçi - Shoqata e Tregëtimit të Letrave me Vlerë (ASTA)

Presidenti i Shoqates se Tregtimit të Titujve në Shqipëri z. Blodin Çuçi ndau 3 çmime për punimet në fushën e titujve, të cilët u mbështetën nga shoqëria 'Prodata Securities sh.a. , një nga anëtarët themelues të ASTA. Z. Çuçi ftoi studentët konkurrues që të vazhdojnë më tej hulumtimet e tyre në fushën e ttitujve me qëllim që të bëhen pjesë e një tjetër konference të planifikuar nga ASTA në muajin shtator 2019. 

Tematikat e trajtuara në punimet e studentëve, të udhëhequr edhe nga pedagogët e tyre, përfshinin mes të tjerave:

  • Tregu i sigurimeve, dixhitalizimi, çfarë e pengon zhvillimin e mëtejshëm të tij;
  • Kushtet e kontratave të sigurimit;
  • Bursat, niveli i zhvillimit të tyre në Shqipëri;
  • Faktorët që ndikojnë mbi perceptimin e produkteve vullnetare;
  • Aftësimi financiar te të rinjtë shqiptarë;
  • Fondet e investimeve si një mundësi alternative investimi;
  • Roli i fondeve të pensionit në tregun financiar, etj.

AMF e ka kthyer tashmë këtë konferencë me studentët në një aktivitet të përvitshëm, duke i shërbyer edukimit financiar dhe përfshirjes së të rinjve në tregjet nën mbikëqyrje.