29.03.2019 - Si pjesë e misionit të saj për edukimin mbi tregjet financiare, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA) nisi një cikël trajnimesh me mësuesit e lëndës së ekonomisë në shkollat e mesme të Tiranës. Rreth 20 mësues ishin pjesë e trajnimit që u zhvillua sot nën drejtimin e presidentin të ASTA, Z. Blodin Çuçi, në bashkëpunim me "Junior Achievement Albania".

Prezantimi për mësuesit u fokusua tek tregjet financiare dhe funksionimi i tyre duke shpjeguar tregun e obligacioneve si një pjesë e instrumentave për administrimin e financave personale. Mësuesit e vlerësuan si shumë të rëndësishëm këtë trajnim, i cili u vjen atyre në ndihmë për të rritur informimin dhe njohuritë mbi temat bashkëkohore të ekonomisë.

Z. Çuçi zhvilloi gjithashtu një prezantim mbi tregun e letrave me vlerë me të rinj që ishin pjesë e "Lojrave Tregtare Ndërkombëtare", duke simuluar prodhimin dhe tregtimin e titujve, një aktivitet tjetër në bashkëpunim me "Junior Achievement Albania".