Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri (ASTA) dhe German Sparkassenstiftung Albania (DSIK Albania), organizojnë konkursin ndërkombëtar me temë: “BURSA VIRTUALE E TITUJVE – Të Mësojmë rreth Tregut të Letrave me Vlerë”. Konkursi konsiston në krijimin e skuadrave me studentë nga Fakultetet Ekonomike të universiteteve shqiptare publike dhe jo-publike, në një ambjent virtual në formën e një platformë interneti të centralizuar, e cila do t’i pajisë ata me fonde virtuale (50.000 EUR) dhe do t’u japë mundësinë të aksesojnë çmimet reale të tregtimit të titujve (aksione, obligacione, fonde investimesh etj.), duke ndërtuar një portofol virtual investimesh në letra me vlerë, me qëllim maksimizimin e normës së kthimit nga investimi.

Konkursi ndërkombëtar fillon në mes të muajit Shtator 2021 dhe zgjat rreth 6 javë. Në Dhjetor 2021 një juri e pavarur ndërkombëtare do të vlerësojë performancën e portofoleve virtuale dhe do të shpallë skuadrën fituese më një çmim ndërkombëtar. Gjithashtu, DSIK Albania është angazhuar për ofrimin e një çmimi të veçantë kombëtar (në Shqipëri), i cili do të shpërblejë skuadrën universitare me performancën më të lartë të investimit.

Bursa Shqiptare e Titujve ALSE është i vetmi treg i rregulluar i licensuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare që në vitin 2017 për tregtimin e titujve në Republikën e Shqipërisë. German Sparkassenstiftung Albania (DSIK Albania) është një organizatë jo-fitimprurëse e cila synon të forcojë njohuritë financiare në Shqipëri nëpërmjet ofrimit të mbështetjes për individët, bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri, me anë të programeve të trajnimit mbi edukimin financiar. DSIK Albania punon ngushtë me institucionet partnere në Shqipëri, duke i ndihmuar ata të forcojnë aftësitë e tyre për të hartuar dhe zbatuar programe arsimore - financiare sipas nevojës.