30.09.2019 - AMF nisi sot aktivitetet e Javës Globale të Investitorit me aktivitetin me përfaqësues të bizneseve dhe shoqatave të tregjeve. ASTA përfaqësohej në këtë takim të rëndësishëm nga presidenti i saj, Z. Blodin Çuçi, i cili zhvilloi edhe një prezantim të shkurtër mbi ecurinë e tregut të titujve gjatë këtij viti si dhe pritshmëritë për të ardhmen. Në aktivitet ishin prezentë edhe përfaqësues të bizneseve nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe shoqatave të tregjeve nën mbikëqyrje.

Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF-së, Z. Ervin Koçi theksoi rëndësinë e përfshirjes së bizneseve në tregun e kapitalit, si një mundësi shumë e mirë jo vetëm për të siguruar financime, por edhe për të kontribuar direkt në rritjen ekonomike të vendit.

Java Globale e Investitorit (30 shtator – 6 tetor) organizohet në të gjitha vendet që aderojnë pranë Organizatës Ndërkombëtare të Komisioneve të Letrave me Vlerë (IOSCO), me aktivitete me karakter ndërgjegjësues dhe informues në lidhje me tregun e kapitalit, fondet e investimeve dhe pensionet private. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të organizojë aktivitete të tjera dhe orë të hapura me grupe interesi, në bashkëpunim me aktorët e këtij tregu në vend.